Politikë e Re Fiskale
nga Edi Rama
Fakti është që mbas vitit 2008 kur rritja u injektua me borxhe të pakontrolluara, niveli i rritjes ekonomike të vendit është përgjysmuar dhe të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti tregojnë një rritje ekonomike zero. Ne jemi munduar të bëjmë disa parashikime dhe të vëmë një alarm qysh në fund të vitit 2009. Por qeveria nuk ka dashur asnjëherë të dëgjojë. Dhe mbase edhe analistët, ekspertët e ekonomisë, tribunat ekonomike, nuk kanë arritur të regjistrojnë në memorie, vlerësimet e propozimet tona të fundit të vitit 2009 në një seancë të posaçme të asamblesë tonë kombëtare, në kushtet kur kriza filloi të shfaqej me shumë agresivitet rreth e rrotull dhe ku sipas nesh po trokiste fort në dyert e ekonomisë shqiptare.
Kanë kaluar 2 vjet e gjysmë nga nxjerrja e një dokumenti që ne e vumë në dispozicion të publikut, por sigurisht edhe të qeverisë duke u munduar që t’i shtyjmë të gjitha forcat vendimmarrëse në rrugën e arsyes. Ja çfarë kemi propozuar ndër të tjera në atë dokument:
• Të qetësohet klima e acaruar artificialisht e biznesit për qëllime të mirëfillta politike dhe të rivendoset menjëherë dialogu me komunitetin e biznesit, për ta bërë atë pjesë integrale të përpjekjeve për përballimin e krizës. Nuk u bë asgjë.
• Të realizohet një ngrirje e rritjes së taksave, tatimeve, tarifave dhe çdo ligji që rrit qoftë edhe kostot administrative të biznesit. Të shihet mundësia për ulje të përkohshme 12 - 18 muaj të taksave mbi biznesin më të rrezikuar nga kriza për të stimuluar aktivitetin e sipërmarrësve si motori më i shpejtë ekonomik i vendit. Nuk u bë asgjë.
• Të rinegociohet kredia tregtare në valutë dhe me interesa të rëndë, e marr gjatë viteve të fundit dhe që ka rritur ndjeshëm koston e borxhit në buxhet. Nuk u bë asgjë. Për politikën monetare ne bëmë gjithashtu disa vlerësime dhe sugjerime
• Propozuam që Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësitë për një ulje sa më të shpejtë të normës të interesit. E bëri 2 vjet me vonesë dhe fakti është që tanimë s’ka efekt dhe nuk rezulton me impakt mbi biznesin.
• Së dyti, Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësi të tjera për politika që e lehtësojnë ç’ngrirjen e likuiditetit. Edhe këtu nuk u bë asgjë. Për politikat e përgjithshme qeveritare ne propozuam.
• Të garantohet pasqyrimi i vërtetë dhe me transparencë i treguesve ekonomikë dhe financiarë, me shifra të pamanipuluara për qëllime politike, si hapi i parë në pranimin, raportimin dhe frenimin e një recesioni shqiptar. Kjo të shoqërohet me shkëputjen e menjëhershme të INSTAT-it nga varësia e qeverisë dhe kthimit të tij në një institucion të pavarur në varësi të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk u bë asgjë, përkundrazi të gjithë e dinë që pati edhe një hap tjetër në rrugën e absurditetit për të kontrolluar të gjithë veprimtarinë e INSTAT-it duke e afruar atë nga këshilli i ministrave drejt e tek kryeministri.
• Propozuam që të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin pavarësinë e pushtetit vendor, i cili është më pranë biznesit të vogël, duke i dhënë pushtetit vendor të gjithë instrumentet e duhura për mbështetjen dhe motivimin e biznesit të vogël në këtë kohë krize. Nuk u bë asgjë, përkundrazi në Tiranë së fundmi taksat për biznesin e vogël u dyfishuan.
• Propozuam që të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin biznesin e vogël dhe e klasifikojnë atë artificialisht si biznes të madh. Nuk u bë asgjë.
Propozuam që të bëhet distancimi i pushtetit nga monopolet që çdo ditë e më shumë po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes. Prania e tyre në çdo sektor të ekonomisë, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga oborri qeveritar dhe falë klientëve të tij duhet të marrë fund përpara se sa monopolet ta fundosin ekonominë. Nuk u bë asgjë dhe sot ndër shumë shifra domethënëse ka një shifër që unë do të dëshiroja ta dëgjonte çdo sipërmarrës i cili punon në mënyrë të ndershme dhe përpiqet të fitojë duke u bazuar tek rregullat e lojës. 0,5% e kompanive të biznesit të madh realizojnë gjysmën e fitimit që biznesi i madh realizon në tërësi në Shqipëri.
• Propozuam të garantohet mbrojtja ligjore e pronës private dhe të respektohen titujt e pronësisë. Nuk u bë asgjë, dihet sesi po vazhdon historia.
Dhe ku jemi sot 2 vjet e gjysmë më vonë?
Borxhet janë rritur. Të dhënat zyrtare flasin për një borxh publik rreth 60 % e prodhimit të brendshëm, megjithë paralajmërimet e institucioneve ndërkombëtare për uljen e domosdoshme të tij. Në të vërtetë borxhi i shqiptarëve nuk është 60%, është shumë më i madh. Ka një borxh të qeverisë ndaj sipërmarrësve të punëve publike. Ka një borxh të shtetit ndaj furnizuesve të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.
Ka një borxh të qytetarëve ndaj furnitorëve të energjisë dhe ujit të pijshëm, sepse 100 mijë familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike 4 mijë lekë në muaj nuk mund ta paguajnë dot faturën e energjisë së shtrenjtuar 65 % dhe të ujin të shtrenjtuar 50 %. Por ama ky është një borxh.
Ka borxh ndaj pronarëve, ka një borxh ndaj ish të përndjekurve, ka një borxh ndaj vendimeve të gjykatave të pazbatuara për ish ushtarakët dhe persona të larguar nga puna për vendime politike.
Ka borxhe të ndërsjellta të bizneseve. Edhe borxhet me probleme ndaj bankave janë rritur dhe sot kanë kaluar 1 miliardë dollarë. Të gjitha përmbledhtasi bëjnë që me një llogari fare të thjeshtë të thuhet se borxhi i sotëm i Shqipërisë është së paku 100 % e prodhimit të brendshëm. Pra aq sa Shqipëria prodhon në një vit aq ka edhe borxh. Kjo është katandia e ekonomisë shqiptare në të tatëpjetën e një politike ekonomike qorre, grabitqare dhe klienteliste. Vetëm borxhi publik, duke ju referuar shifrave zyrtare, pas vitit 2005 është rritur me 3 miliardë dollarë.
Çdo fëmijë që lind sot, ka mbi supe një borxh prej 2800 dollarë. Në vitin 2011 u shpenzuan 480 milionë dollarë për shërbimin e borxhit publik, shumë kjo dy herë më e lartë se e shtatë viteve më parë. Për çdo 100 lekë të ardhura që u mblodhën në vitin 2011, 16 lekë shkuan për t’i shërbyer borxhit. Është shumë e rëndësishme që shqiptarët ta dinë se kur flitet për borxh publik nuk flitet për një borxh që e ka dikush diku dhe kjo nuk ka lidhje me ta, por flitet drejtpërdrejtë për një borxh që lidhet me nivelin e tyre financiar. Ky shërbim i ka kushtuar çdo familjeje 55 dollarë në muaj, pra më shumë se një faturë e energjisë elektrike, një familje shqiptare e ka për borxhin. Borxhi që rritet në mënyrë të vazhdueshme për hesapet e një qeverie që tek marrja borxheve ka gjetur rrugën e vetme për t’i shpëtuar hijes së krizës që shkon duke u rënduar dhe duke vrapuar në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Shërbimi i borxhit ka arritur nivelet më të larta. Duke bërë një krahasim tjetër shifrash del e qartë se për borxhin e marrë qorrazi për llogaritë elektorale dhe hesapet e pushtetit të sotëm ne shpenzojmë më shumë se fondet publike në shërbim të arsimit në total. Më shumë se fondet për shëndetësinë dhe madje dyfish më shumë se sa gjithë shpenzimi për bujqësinë. As privatizimet nuk e pakësuan borxhin publik dhe ky është një tjetër aspekt dramatik i kësaj politike ekonomike pa të ardhme dhe me pasoja shkatërrimtare për vetë të ardhmen. E vetmja konsenguencë e privatizimeve është rrënimi i sektorëve të energjisë dhe të naftës, ndërkohë që përsëri qeveria përgatitet për të tjera privatizime në këta dy sektorë strategjikë dhe jetikë. Është e qartë, por duhet ta përsërisim, ne nuk jemi kundër privatizimeve në vetvete. Por mënyra sesi privatizimet janë bërë deri këtu është mënyra më shembullore për të privatizuar jo në funksion të së mirës së përbashkët dhe as në funksion të një të ardhme më të mirë, por vetëm në funksion të interesave të sotme të pushtetit dhe të blerjes së të ardhmes për pushtetin.
Krizën sot e ndjen ekonomia, e ndjejnë sipërmarrjet, e ndjejnë familjet shqiptare, e ndjejnë financat publike të vendit. Madje po të zbresim në nivelin e financave publike vendore jemi realisht përballë kërcënimit të një falimenti pa asnjë ekzagjerim në përdorimin e kësaj fjale. Ne besojmë, që meqë në shumicë bashkitë kryesore të vendit drejtohen nga socialistët, prej vitesh ligjet, vendimet dhe udhëzimet që kanë të bëjnë me financat vendore janë materializmi i nëpërkëmbjes së autonomisë vendore. Nuk mund dot të kishim një panorama tjetër sot dhe siç shihet jo më duke parë të ardhmen me projeksione dhe parashikime, por duke parë të sotmen bazuar në projeksionet dhe parashikimet e 2 vjetëve e gjysmë më parë që janë të shkruara dhe dokumentuara në qëndrimin tonë. Është fare qartë se këtu do vinim. Dhe është fare e qartë që do të shkojmë më mbrapshtë drejt një rrënimi të mëtejshëm në raport me këtu ku jemi në rast se nuk ka një kthesë radikale në politikat ekonomike dhe financiare dhe në sjelljen ndaj borxhit, në sjelljen ndaj privatizimeve, në sjelljen ndaj publikut. Një nga gënjeshtrat më të mëdha dhe e cila është bërë si gjysmë e vërtetë, pasi është përsëritur, e përsëritur, e përsëritur pa pushim është sa gjatë këtyre viteve janë ulur taksat dhe se janë mbledhur më shumë para në buxhetin e shtetit. Tjetër gënjeshtër është edhe se kemi një qeveri të vogël apo një qeveri në dietë.
Edhe një tjetër gënjeshtër është se Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta në botë. Dhe gënjeshtra më e madhe është se këto gënjeshtra kanë bërë që Shqipëria të mos e ndjejë krizën ekonomike. Fatkeqësisht ka njerëz që besojnë se këto gënjeshtra janë të vërteta dhe unë besoj se kjo vjen ngaqë i kanë dëgjuar përditë, përditë, e përditë. Ndërkohë që faktet i provojnë si gënjeshtra dhe realiteti jep fakte krejt të kundërta në raport me krizën ekonomike që është reale dhe që prek përditë këdo që ka lidhje me jetën e përditshme ekonomike nga familja deri tek sipërmarrja. Përgënjeshtrimi vjen nga shumë të dhëna. Padashur të bëjë një listë të gjatë të të dhënave që i përgënjeshtrojnë këto gënjeshtra kryesore, këto gënjeshtra bazë të një komunikimi që nuk synon të informojë publikun dhe as të krijojë sinergji me publikun apo me grupet e interesit për ta mirëqeverisur këtë vend por synon vetëm ta dizinfomojë publikun dhe t’i marxhinalizojë grupet e interesit për të privilegjuar vetëm një kastë biznesmenësh, po rendis vetëm pak fakte. Nuk janë mbledhur më shumë të ardhura nga taksat në Shqipëri. Në vitin 2005 për çdo 100 lekë prodhim kombëtar mblidheshin 25,1 lekë të ardhura. Në vitin 2011 për çdo 100 lekë prodhim kombëtar u mblodhën 25 lekë të ardhura. Ky është fakt, kjo është shifër zyrtare.
Administrimi i financave publike është bërë kaotik. Prej disa vitesh jemi në traditën e projekt buxheteve grandioze që kalojnë si projekte të rritjes më të madhe ekonomike në botë në kushtet e një krize ku vetëm Shqipëria po i mbijeton stuhive në një Himalaje që është në kokën e kryeministrit dhe pastaj po sipas traditës buxheti fillon ndryshon që në ditët e para të vitit dhe më pas shkon duke u shkurtuar, sepse rritja ekonomike faktikisht nuk ekziston. Edhe buxhetet e rishikuar, edhe aktet normative përsëri nuk i kanë shpëtuar rishikimit të rishikimit, sepse është fakt që e gjithë politika i është nënvendosur propagandës. Politika e komunikimit nuk është funksion i politikës ekonomike por përkundrazi, politika ekonomike është kthyer në funksion të propagandës. Faktikisht sot, dhe këto janë shifra përsëri, më shumë taksa mbi pagat paguajnë të punësuarit. Më shumë taksa paguan biznesi i vogël. Më shumë taksa paguajnë fshatarët kur blejnë naftë dhe impute bujqësore. Më shumë taksa paguajnë familjet shqiptare që konsumojnë. Vendosja e taksës së sheshtë nuk ka sjell ulje të barrës fiskale, është gënjeshtër. Ka bërë vetëm një zhvendosjen të barrës fiskale nga kompanitë tek të punësuarit, pra tek konsumatorët. Për pasojë, familjet e zakonshme ndiejnë vështirësi reale për të përballuar jetesën e përditshme. Përpara vendosjes së taksës së sheshtë, barra fiskale mbi të ardhurat e punonjësve ishte 2 - 3%, ndërsa pas vendosjes së taksës së sheshtë barra fiskale mbi të ardhurat e punonjësve shkoi 10%. Aktualisht, mësuesit paguajnë 10 herë më shumë taksë se sa gjashtë vjet më parë.
Shembulli më emblematik është ai i infermieres që paguan 30 herë më shumë taksa sot, se sa ditën që doktori u bë kryeministër. Dhe doktori që u bë kryeministër dhe si kryeministër paguan sot më pak taksa se kur ishte doktor në opozitë. Më shumë taksa paguan edhe mjeku. Më shumë taksa paguan edhe ushtaraku. Më shumë taksa paguan edhe polici. Më shumë taksa paguan edhe inxhinieri. Më shumë taksa paguan edhe tekniku. Më shumë taksa paguan edhe shoferi. Më shumë taksa paguan çdo rrogëtar i këtij vendi në sektorin shtetëror apo në sektorin privat, i cili dje paguante më pak. Për paradoks, një grusht rrogëtarësh që dje paguanin më shumë, kryeministri, ministrat, e me radhë, sot paguajnë më pak taksa. Një shifër tjetër, nëse shtatë vjet më parë ndaj një page mesatare mbaheshin për shtetin 14 lekë taksa për 100 lekë të ardhura, sot mbahen 21 lekë taksa për 100 lekë të ardhura. Pra 50% më shumë rritja e taksave të drejtpërdrejta mbi pagat. Nga ana tjetër është po kaq domethënës fakti se përgjysmimi i tatimin mbi fitimin nuk ka privilegjuar, nuk ka favorizuar biznesin në tërësi por ka privilegjuar vetëm një grusht kompanish të mëdha, klientë të pushtetit, apo kompani që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregje të kontrolluara ose kartele ose monopole.
Dhe ja një shifër që duhet, sipas këndvështrimit tonë, të gjykohet me realizëm nga komuniteti i biznesit të madh. Nga 9500 kompani që kanë paguar tatim fitimin, 50 prej tyre kanë një normë fitimi mesatar prej 20%. Dhe për një normë fitimi mesatar rreth 20% kanë çerekun e xhiros së vendit. Ndërsa 9450 të tjerat kanë një normë fitimi mesatar 6.9% dhe ndërkohë si ata që fitojnë 6.9%, si ata që fitojnë mesatarisht 20%, e në ato ka dhe të tjera që fitojnë 37%, paguajnë 10 % taksë. Njësoj. Rritjen më të madhe, ndërkohë për qytetarët është mirë që kjo gjë të kuptohet sa më qartë, e kanë pësuar ato taksat që në jetën e njerëzve të zakonshëm nuk figurojnë sy më sy, taksat e konsumit. Taksa e fshehtë e konsumit, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akciza. Këto njerëzit e zakonshëm duhet ta dinë se janë ata që i paguajnë dhe përbëjnë kontributorin më të madh të gjithë së bashku, krahasuar me gjithë pjesën tjetër që janë sipërmarrësit. Madje këto dy taksa, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akciza, pra taksat e konsumit ku paguajnë që të gjithë, paguajnë ata që kanë rrogë, paguajnë ata që s’kanë rrogë, paguajnë ata që kanë punë, paguajnë ata që s’kanë punë, përbëjnë sot më shumë se gjysmën e parave që shteti mbledh nga taksat.
Kontributori më i madh në buxhetin e shtetit, me më shumë se gjysmën, nuk është i pasuri, nuk është biznesmeni, por është njeri i zakonshëm. Këto dy taksa janë regresive. Shkojnë drejt më të varfërve sepse zbatohen vetëm mbi atë pjesë të të ardhurave që shpenzohen. Sa më të ulëta të jenë të ardhurat e familjes aq më e lartë është pesha që zënë shpenzimet, kjo kuptohet, e për pasojë aq më të larta janë taksat që paguhen në raport me të ardhurat. Pra nëse një familje me të ardhura të ulta, është e detyruar që të gjitha të ardhurat t’i përdor për shpenzime dhe nuk kursen dot asgjë për muajin tjetër, për shkak se i përdor vetëm për shpenzime, paguan taksa shumë më tepër sesa dikush që ka mundësi të paguajë më pak për shpenzimet nga të ardhurat e veta. Taksat e konsumit janë rritur sepse qeveria ka rritur akzicën dhe për arsyen e thjeshtë se janë rritur çmimet e importit. Analiza e të dhënave zyrtare të volumeve dhe vlerave të tregtisë së jashtme për periudhën 2005 – 2011 tregojnë se volumi i importeve tona ka mbetur i njëjtë, madje edhe struktura e importeve ka mbetur e njëjtë. Rritje të ardhurash vjen vetëm nga fakti se importojmë dy herë më shtrenjtë. Duke importuar dy herë më shtrenjtë për të njëjtën sasi importi marrim dyfishin e të ardhurave, si pasojë e rritjes së akcizave. Kjo ndodh edhe sepse është nënçmuar leku.
Sot shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në realitetin e ushqimeve dhe mallrave të importuara. Për një litër naftë, një kilogram vaj, sheqer, miell, oriz, për një kilovat energji elektrike apo për një metër kub ujë sot paguhet dy deri në tre herë më shumë taksa sesa shtatë vjet më parë dhe këto janë taksat që i paguajnë të gjithë ata që kanë të bëjnë me naftën, me vajin, me sheqerin, me miellin, me orizin, me ujin, me energjinë elektrike, pra të gjithë shqiptarët. Prej 1 viti në faturën mujore të familjeve të zakonshme, është shtuar një taksë e dyfishuar e televizorit, si pasojë e shërbimit kaq shumë të shikuar dhe kaq shumë të vlerësuar publik që bën televizioni shqiptar, është dyfishuar taksa e televizorit. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që paguajnë dyfishin e taksës për ekranin e Televizionit Shqiptarë. Ndërkohë pensionistëve në faturën mujore të ujit po ju vjen tani, në Tiranë, edhe taksa e pastrimit. Nga e cila ata deri dje ishin të përjashtuar ose e kishin të reduktuar këtë taksë. Ju vjen njësoj si gjithë të tjerët. Fshatari shqiptar jo vetëm që duhet të paguajë më shumë taksa për një litër naftë, por paguan rreth 75 % më shumë taksa për urenë dhe për nitratin. Biznesit të vogël, e dimë mirë se çfarë i është premtuar, por dimë mirë sesi së fundmi biznesi i vogël në Tiranë është bërë kavja më shembullore e politikës “gënje për të marrë votën, i more votën shtypi kokën”. Dyfish taksa sot në Tiranë për biznesin e vogël. Për më tepër sot çdo biznesi të vogël i është shtuar 96 dollarë në vit për të mirëmbajtur kasën fiskale.
Nga ana tjetër në sportelet ku duhej ti rimbursohej pjesa e dytë e pagesës për kasën, i refuzohet shuma që i takon. Llogariteni sesa më shumë është rritur barra e biznesit të vogël, përtej dyfishimit arbitrar të taksave. Pa dashur të shkoj më larg në shifra dua vetëm të them që vet qeveria e pranon sot se në Shqipëri konsumi taksohet 3 herë më shumë se fitimi dhe se pasuria. Një familje shqiptare e zakonshme, që vetëm konsumon për të mbijetuar, bazuar në të ardhura modeste, është tre herë më shumë e taksuar sesa një kompani që fiton apo një i pasur të cilit nga pasuria i merren detyrimet ndaj shteti. Shifra tjetër domethënëse, nuk është e para herë që e themi, është se vetëm 5% e depozituesve në bankat shqiptare zotërojnë më shumë se 50% të depozitave të shqiptarëve. Rezulton se 10 kompani në Shqipëri, pra ato top 10 tek 50 më të privilegjuarit, edhe pse kanë vetëm 12 % të xhiros që kryhet në Shqipëri, kanë 37 % të fitimit që realizohet. Pra vetëm 0,1 % e sipërmarrjes shqiptare realizon si fitim më shumë se një të tretën e asaj që fitohet në Shqipëri nga gjithë të shqiptarët, 0.1%. Të pasurit që luajnë sipas rregullave, që synojnë ta shtojnë pasurinë por që nuk kanë akses në rrugët e monopoleve, në shtigjet e klientelave dhe në oborrin e pushtetit kanë mbetur në të njëjtën situatë si shtresa e varfër, si shtresa e mesme dhe si të varfrit në raport me ambicien e tyre për tu pasuruar më tutje.
Këtë të gjitha kompanitë shqiptare, të cilat janë të shqetësuara nga ideja se ne duam të ndryshojmë politikën fiskale, duhet ta dëgjojnë mirë. Sot 10% i taksës së sheshtë që ju ofrohet si një parakusht për tu pasuruar me shpejtësi, për ta është iluzion dhe është një iluzion që merr fund aty ku fillojnë gjobat, aty ku fillojnë sulmet, aty ku fillojnë streset burokratike, aty ku fillojnë ryshfetet dhe me radhë të gjitha ato që këto kompani duhet të paguajnë për të siguruar fillimin e një viti të ri biznesi. Unë do t’ju bëja gjithë këtyre kompanive, që janë shumica dërrmuese, pra janë 99.5% e kompanive shqiptare, 99.5% e kompanive të biznesit të madh që të bëjnë një llogari midis si e nisin vitin e ri për biznes dhe si e përfundojnë në xhepin e tyre. Jo duke u nisur nga 10% që i paguajnë shtetit, por duke e përfunduar edhe me ato që i paguajnë qeveritarëve, me ato që i paguajnë taksidarëve, me ato që i paguajnë kanakarëve nëpër administratë, për të garantuar vazhdimin normal të punës së tyre. Të jenë të sigurt që kjo llogari grafikun e shpenzimeve të tyre për t’i mbijetuar presionit, për t’i mbijetuar konkurrencës së pandershme, për t’i mbijetuar postblloqeve dhe mureve të monopoleve, do ta kenë shumë më të lartë se me çdo lloj grafiku të bazuar mbi parimin e progresivitetit.
Duke e mbyllur, do doja të sillja në vëmendjen tuaj edhe dy shifra. Bazuar në studime serioze që lidhen me avantazhet e sistemit fiskal, ne bëmë një takim me sipërmarrësit. Një nga gjërat që u ngrit me plotë të drejtë, ishte një sistem fiskal që të mos e disavantazhoj Shqipërinë në raport me fqinjët. Por çfarë tregon sot aktualiteti i shifrave, bazuar tek ky sistem fiskal që kemi, që për disa quhet sistem që na avantazhoka me fqinjët. Tregon se sot Maqedonia është e 20, Kosova është e 43, Kroacia e 46, Mali i Zi i 114 dhe Shqipëria është e 152-ta në lehtësinë e pagimit të taksave. Ashtu sikundër është e qartë që investitorëve në përgjegjësi, atyre të huajve në veçanti, i intereson padyshim niveli i taksimit të korporatave, por më shumë i intereson shkalla e përgjithshme tatimore. Tani po ju them se në ç’vend është Shqipëria në shkallën e përgjithshme tatimore. Maqedonia e ka 9.7%, Kosova e 15.4%, Mal i Zi e ka 22.3%, Bosnja e ka 25.0%, Bullgaria e ka 28.1%, Moldavia e ka 31.3%, Kroacia e ka 32.3%, Serbia e ka 34.0%, Shqipëria e ka 38.5%, shkallën e përgjithshme tatimore.
Kështu që e vetmja arsye për të cilën ne do t’i jepnim votën qeverisë dhe kryeministrit për të ulur taksat do të ishte, të ulë taksat për bukën, sheqerin, orizin, vajin, vezët. Propozimin e ka le ta marrë ne e votojmë.
Të ulë taksat për energjinë elektrike për familjarët, për ilaçet. Propozimin aty e ka, ne e votojmë.
Të ulë taksat për mësuesit, mjekët, infermierët, policët dhe gjithë shtresën e mesme të atyre që jetojnë me rroga. Propozimin e ka, ne e votojmë. Të ulë taksat për urenë, nitratin dhe fosfatin. Propozimin e ka dhe ne e votojmë.
Të ulë dhe akcizën e naftës edhe për këtë e ka propozimin dhe ne e votojmë. Këto ulje taksash ne jemi gati t’i votojmë menjëherë.
Së fundi në mbyllje kam vetëm një përgjigje për të gjithë ata që thonë megjithë këto ulje taksash ‘ku do i gjeni paratë?’. Është një pyetje legjitime dhe nga ana tjetër është një pyetje të cilës një pjesë e biznesit e keqkuptuar në vizionin tonë për një sistem fiskal mbi parimin e progresivitetit por ama për një sistem fiskal që do ta mbështes biznesin jo ta dëmtojë biznesin. Duke u mbështetur në rregulla loje të barabarta për të gjithë duke shkatërruar monopolet dhe kartelet dhe duke bërë që ai raporti 99.5% i bizneseve të mëdha që fitojnë mesatarisht 6.9% krahasuar me atë 0.5% që fiton 37% dhe që paguajnë të gjithë njësoj të ndryshojë. Përgjigja është kjo përveç heqjes së referencave, përveç një burimi informacioni krejtësisht transparent dhe heqjes përfundimisht dorë të shtetit nga manipulimet e shifrave, nga mungesa e parashikueshmërisë të bazës ligjore nga ajo çka është një tjetër histori më vete që ka të bëjë me mos bërjen publike të të gjitha atyre të mirave që futen në procese privatizimi, koncesionimi etj, por që gjithë sistemin e privatizimeve e partnershipeve e kanë kthyer në një sistem jo korrupsioni por kapjeje të shtetit do të thoja këtë ‘ku do i gjejmë lekët?’ Vetëm nga keqadministrimi i sektorit të hidrokarbureve buxhetit të shtetit i mungojnë të paktën 100 milionë dollarë të ardhura në vit.
Lidhur me kontratat që qeveria bën me paratë e publikut për punë publike shembulli më i qartë dhe më i freskët është prokurimi i tunelit të Kërrabës. Kontrata u lidh me 40 % më pak se sa fondi limit. Sikur vetëm gjysma të jetë pjesë e pjesës së korrupsionit do të thotë 140 milionë dollarë në vit dhe me këtë projeksion tërësisht realist bazuar tërësisht në prova, fakte, zakone e vese të këqija që tanimë janë bërë publike dhe që i dinë të gjithë sot qeverisja e Sali Berishës ka kushtuar 1.5 miliardë dollarë që nuk figurojë asgjëkundi në ekonominë kombëtare. Rikuperimi i këtyre 1.5 miliardë dollarëve po t’i heqim të gjitha të tjerat është një përgjigje goxha e mjaftueshme për të gjitha ata që thonë ‘ku do i gjeni lekët’.